Gjilanasi përdorë armën për t’u mbrojtur nga qentë endacakë
Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku një qytetar është kapur me armë zjarri dhe ka shtënë disa herë në tokë.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas informacioneve, më 25 shtator rreth orës 07:30, policia është njoftuar se në një parcelë në këtë fshat gjendeshin disa gjuetar. Pas daljes në vendin e ngjarjes, patrulla ka hasur dy persona, mes tyre A.H., rreth 36-vjeçar, tek i cili është gjetur një armë zjarri e tipit CZ B75 me një karikator që përmbante 11 fishekë të kalibrit 9×19.
Hetimet zbuluan se Halimi kishte shtënë katër herë në drejtim të tokës, duke u arsyetuar se veprimin e kishte kryer nga frika, pasi iu kishin vërsulur disa qen endacakë. Arma është sekuestruar nga policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. (foto ilustrim)

