Gjilani, 250-vjetori i themelimit si qendër urbane
Gjilani, sot qytet me rreth 100 mijë banorë, thuhet se si vendbanim është themeluar para afër 300 vjetësh, ndërsa si qendër urbane, para 250 vitesh (1772), shkruan Mediafokus.info
Gjilani ka përjetuar një nga masakrat më të mëdha, në vitin 1944, kur vetëm 37 ditë pas “çlirimit”, këtu u vranë rreth 8 mijë shqiptarë.
Thuhet se edhe rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma.
Pushteti i kohës rrënoi të gjitha monumentet dhe simbolet kulturo-historike shqiptare në qytet, duke filluar nga Sahat-Kulla (tani është ribërë), konakët e Bejlerëve, Hamamin e Qytetit, por asnjëherë nuk arriti ta zhbëjë identitetin e këtij vendbanimi.
Gjilani konsiderohet “kërthiza” e Anamoravës, pasi që këtu gravitojnë Kamenica, Vitia e Artana, por edhe komunat ndërkufitare, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë.
Dikur ishte ndër Qarqet apo Rrethet më të mëdha për nga sipërfaqja në ish-Jugosllavi.
Besohet se është themeluar në vitin 1730, nga Bahti Beg Gjinolli, administrues i fundit i Artanës (Novo Bërdos), i cili, për shkaqe strategjike-mbrojtëse, erdhi nga kjo qendër, dikur ndër më të mëdhatë evropiane për nga numri i banorëve dhe u vendos në fushëgropën midis maleve të Karadakut e të Zhegocit, në një vend me tri rrjedha ujore dhe me një terren pak a shumë të lagshtë dhe, në hapësirën ku sot gjendet Shtëpia e Mallrave, ngriti Sarajet, Hamamin dhe Sahat-Kullën.
Kjo pjesë u quajt Begler-Mëhalla. Edhe vetë toponimi Gjilan, konsiderohet se u formua pikërisht nga mbiemri Gjinoll, me ndërrime jo të pakta fonetike. Në literaturën serbe u quajt Gnjillane (nga Gnjillo – e lagshtë, e butë, e kalbur), që përkon me leksemën shqipe Ligatina.
Në literaturën turke, vendi u quajt edhe Geylan e Gjylhan, madje edhe Gjelhan.
Thuhet se ky vendbanim, që sot njihet me emërtimin Gjilani, tri herë është djegur me themel dhe po kaq herë është rindërtuar.
Ndër kronistë dhe historianë ka edhe mospajtime rreth themeluesve të Gjilanit.
Periudha pas Luftës së Dytë Botërore, Gjilanin e gjeti me 9 mijë banorë, të cilët kryesisht merreshin me bujqësi, blegtori, zejtari e tregti. Asokohe, tipike për Gjilanin, ishte thënia “Gilan, he viran, shtatë mejhane e një dyqan”.
Shtimi natyror i popullatës, sikundër edhe migrimet fshat-qytet, por edhe dyndjet nga Malësia e Bujanocit, Presheva, Medvegja e Kumanova si dhe nga komunat fqinje, Dardana, Vitia e Artana, me kohë bënë që kasabaja e dikurshme, të rritet e zgjerohet.
Njëri nga kronistët më të mirë të kohës, Hasan Bunjaku, gazetar në pension, e kujton qytetin e dikurshëm me rrugë të shtruara me kalldrëm, me dyqane zejtare me qepena, me sarhoshë e kumarxhi, me ish-pronarë të sipërfaqeve të mëdha të tokave të punës dhe të punëtorive, të cilët, të privuar nga e tërë ajo pasuri, që ua kishte konfiskuar e sekuestruar “pushteti popullor”, akoma përpiqeshin të mbaheshin “zotërinj”.
Po ashtu, ai rikujton edhe centralin elektrik me qymyr, që ndriçonte vetëm rrugët kryesore, deri diku nga ora 22:00, altoparlantët e vendosur nëpër shtylla, që zhurmonin tërë ditën dhe që herë pas herë njoftonin për rezultatet e aksionit të grumbullimit të “tepricave” nga populli i varfër që jetonte buzë urie.
Kështu, sistemi antishqiptar i kohës grabiste nga populli çdo gjë të gjallë.
Në kujtesën e të moshuarve, Gjilani njihet si qytet i kalldrëmit, i shatërvanit, i Mullirit të Harapit, i panairit, i kasapëve, saraçëve, i Urës së Maskatarit, i Hamamit të Hyrës, Çenar Çezmës dhe të tjera.
Nuk dihet si ka mbetur toponimi Ura e Maskatarit, por thuhet të ketë marrë këtë emër sipas një kafeneje.
Sipas disa burimeve tjera, ky ishte një vendtakim i tregtarëve dhe të tjerëve që vinin në Gjilan ditën e tregut.
Ka versione që emërtimin e saj e lidhin edhe me masakrën që ka ndodhur në këtë qytet.
Për Shatërvanin thuhet se ishte “pasuria” e këtij qyteti, aq sa edhe këndohej “…mos me kanë Shatërvani, dy dinarë si bën Gilani”.
Shatërvani gjendej në oborrin e Xhamisë së Madhe, ku qytetarët e këtushëm dhe kalimtarët e rastit, freskoheshin me ujë në kohë vape.
Rrugët me kalldrëm ishin një specifikë tjetër e qytetit të vjetër të Gjilanit. Ato mbahen mend edhe nga brezat e më vonshëm, sepse kanë ekzistuar deri para dyzet e ca vitesh. Ka rrugë që poshtë asfaltit, kanë ende kalldrëm.
Pushteti i asaj kohe, në mënyrë perfide zhbëri të gjitha monumentet dhe simbolet kulturo-historike shqiptare në qytet.
Brenda natës dhe në mënyrë enigmatike u rrënua Sahat – Kulla, me materialin e se cilës u ndërtua Kisha Ortodokse.
Më vonë u rrënuan edhe konakët e Bejlerëve, si dhe Hamami i Qytetit (Hamami i Hyrës), vijon shkrimi i Mediafokus.info
Periudha e Rankoviqit u shfrytëzua për t`i eliminuar kuadrot dhe personalitetet më emblematike të qytetit dhe kjo praktikë vazhdoi edhe në vitet e mëvonshme.
Por, Gjilani asnjëherë nuk u nënshtrua dhe në të gjitha kthesat historike kombëtare iu kundërvu pushtuesve me armë dhe me dije, duke dëshmuar kështu një vazhdimësi mospajtimi me politikat antishqiptare, deri te rrezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës dhe lufta e armatosur e UÇK-së, që kurorëzuan me fitore aspiratat shekullore të popullit shqiptar për liri e mëvetësi në tokat e veta.
Shumë nga këto ngjarje përbëjnë një rrugëtim rreth 300-vjeçar të këtij vendbanimi, që sot është bërë një qytet modern dhe i zhvilluar, me infrastrukturë, administratë, universitet e të arritura tjera që i duhen një shoqërie të emancipuar. /Mediafokus.info

