Gjilani e humb simbolin e 365 dritareve

Deri në vitet e 90-ta, Gjilani kishte një ekonomi relativisht të zhvilluar e të qëndrueshme, ku bënte pjesë edhe industria e duhanit.

Industria e duhanit, e vetmja e këtij lloji në Kosovë, kishte një ndërtesë aq të madhe e cila shihej larg dhe ishte karakteristike për 365 dritaret e saj, që simbolizonin ditët e një viti, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Kjo ndërtesë e amortizuar nga koha, por që ishte njëra nga simbolikat e këtij qyteti, po rrënohet tani nga pronari i ri.

Qyteti i Gjilanit nuk do t`i ketë në të ardhmen 365 dritaret e Kombinatit të duhanit.

Gjilani ka qenë qytet i njohur për cigaret Bozhur, Zeta, Drava, Dard, Holiday, Princ  e deri te Dunhill.

Kombinati i duhanit është themeluar në vitin 1945, ndërsa viti i fundit i modernizimit ishte më 1989. Në ditët më të mira punësonte mbi 200 punëtorë.

Në kuadër të industrisë së duhanit funksiononte kombinati i duhanit, veprimtaria e të cilit ishte grumbullimi i duhanit, përpunimi dhe fermentimi i tij, si dhe prodhimi i cigareve.

Lënda e parë kryesisht sigurohej nga tregu i Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, ndërsa prodhimet e gatshme plasohen në tregun vendor dhe jashtë tij.

Shfrytëzimi jo i drejtë dhe mirëmbajtja jo e duhur e këtyre kapaciteteve, gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë, ka bërë që riaktivizimi i shumicës së ndërmarrjeve shoqërore të jetë i vështirë pas luftës.

Megjithatë, në shumicën e tyre u bënë përpjekje për ta rifilluar prodhimtarinë, deri në privatizim, por suksesi nuk qe i njëjtë./Mediafokus.info.