Gjilani kampion në përkrahjen e studentëve, e rrit numrin e bursave në 253

Gjilani po bëhet shembulli më i mirë në Kosovë sa i përket përkrahjes për studentë. Sot, Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka përkrahur kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për rritjen e numrit të bursave nga 200, sa ishin ndarë paraprakisht, në 253.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se bëhet fjalë për shtim të numrit të bursave për studentët e Gjilanit, të cilët studiojnë në universitete dhe kolegje jashtë komunës, apo brenda komunës.

Përndryshe, KPF, në mbledhjen e sotme, e cila u mbajt nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e Kryetarit të Komunës për vitin 2020, raportin financiar për vitin 2020, propozim vendimi për bartjen e mjeteve financiare të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin 2021, kodin e etikës për institucionet edukativo-arsimore, propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Marin Mema si dhe informatën për manifestimin “Flaka e Janarit” 2021.

Në raportin e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri nënvizohet angazhimi dhe sfidat për ruajtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të ekonomisë në kushtet e pandemisë, duke konstatuar se fatkeqësisht, ekonomia e Gjilanit ka humbur mbi 800 vende të punës në këtë periudhë.

Kurse sa i përket vendimit për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin fiskal 2021, në shumë prej 695.723 euro, Nevzad Isufi (VV) ka thënë se me këto mjete do të duhej të ndihmoheshin familjet e prekura nga COVID19.