Gjilani, kasabaja e dikurshme që u zhvillua në një qendër të madhe urbane në Kosovë
Gjilani – njëra ndër shtatë qendrat më të mëdha rajonale urbane e Kosovës, kryeqendra rajonale e Anamoravës, sipas dokumenteve të pakta të shkruara, supozohet të jetë themeluar në vitin 1730.
Në fakt, një nga tezat më të “qëndrueshme” për themelimin e këtij vendbanimi, mirret të jetë Bahti Beg Gjinolli (Gjin-ogllu), administrues i fundit i Artanës (Novo Bërdos), i cili, për shkaqe strategjike-mbrojtëse, erdhi nga kjo qendër dikur ndër më të mëdhatë evropiane për nga numri i banorëve, dhe u vendos në fushëgropën midis maleve të Karadakut e të Zhegocit, një vend me tri rrjedha (përroska) ujore (Banja, Dobrusha, Stanishori), një vend me terren pakashumë të lagshtë e ligatinor, dhe në vendin ku sot gjendet Shtëpia e Mallërve, ngriti Sarajet, objektet tjera përcjellëse, Hamamin dhe Sahat-Kullën, pjesë kjo që u quajt Begler-Mëhalla.
Edhe vetë kryetoposi Gjilan, konsiderohet që u formua pikërisht nga mbiemri Gjinoll, që me ndërrime jo të pakta fonetike, e nxorri emër-vendin Gjilan. Në literaturën serbe, vendi u quajt Gnjillane (siç e quajnë edhe sot e gjithë ditën serbët këtë qytet), nga Gnjillo (e lagshtë, e butë, e kalbur) që përkon me topoleksemën shqipe Ligatina.
Në literaturën turke vendi u quajt edhe Geylan e Gjylhan, madje edhe Gjelhan… Thuhet se vendbanimi tri herë është djegur me themel dhe që të trija herat është rindertua.
Një gjë dihet: përkundër të dhënës se vendbanimi e edhe rrethina pati edhe popullatë serbe, e një numër të konsiderueshëm të popullatës turke, përherë shumica dërmuese e banorëve të Gjilanit, qenë shqiptarët.
Periudha e pas LDB, Gjilanin e gjeti me 9.000 banorë, të cilët kryesisht u morrën me bujqësi, blegtori, zejtari e tregti.
Tipike për Gjilanin deri në prak të LDB, ishte thënia “Gilan, he viran/ Shtatë mejhane e një dyqan” – proporcion ky pakashumë anakronik në raportin e shitoreve me kafenetë – një me shtatë (!)
Shtimi natyror i popullatës, sikundër edhe migrimet fshat-qytet, por edhe dyndja e popullatës së Malësisë së Bujanocit, Preshevës, Medvegjës e Kumanovës, dhe gjithsesi të komunave fqinje: Dardanës, Vitisë e Artanës, me kohë bënë që Kasabaja e dikurshme, me kalimin e kohës, po edhe me zhvillimin paksa më të hovshëm të industrisë, të rritet e zgjerohet.
Kasabaja kishte rrugë të shtruara me kalldërm, dyqane tipike zejtare me çepenka; sarhoshë (pijaneca) e kumarxhi; ish-pronarë të sipërfaqeve të mëdha të tokave të punës dhe të punëtorive manufakturale, të cilët, të privuar nga e tërë ajo pasuri, që ua kishte konfiskuar e sekuestruar “pushteti popullor”, e që ndonëse të katandisur, akoma përpiqeshin të mbaheshin “zotërinjë”.
Kjo kasaba kishte centralin elektrik me qymyr, që ndriqonte vetëm rrugët kryesore deri diku kah ora 22:00, në shtyllat në të cilat ishin venosur altoparlantë të llamarintë në formë hinke, nga të cilët gjatë tërë ditës zhurmonte njëfarë lloj muzike me marshe ushtarake dhe me këngë meksikane (!!!) nga Qendra informative, e cila, në kuadër të “Agjitpropit”, po propagonte një mirëqenie që po “sillte” sistemi i ri socialist, duke informuar herëpasherë edhe për rezultatet e fushatës së grumbullimit të “Tepricave” nga populli, sepse “duhej rindërtue vendi pas shkatërrimit që solli lufta katërvjeçare kunder nazi-fashizmit…”, paçka se, popullatën, edhe ashtu të cvilitur ekonomikisht, e kishte sjellë në buzë të urisë, sepse në emër të grumbullimit të “tepricave”, po ua grabitnin çdogjë të gjallë që mund të prodhonte bujqësia e blegtoria…
Populli duronte e shikonte hallin e vet, ndonëse ONDSH-ja, haptas ishte kundër këtij sistemi para së gjithash antishqiptar, por që më 1947 u zunë pijësit dhe u gjykuan drakonikisht… – ishin këto ditët e para pas 16 nëntorit të vitit 1944, kur ishte “çlirue qyteti”, ndonëse vetëm 37 ditë pas kësaj “date historike”, qyteti u rimor nga guerila shqiptare, gjë kjo që ishte si pretekst që të masakrohen rreth 8.000 shqiptarë anamoravas në burgun famëkeq “Kaushën”, rrugëve të qytetit dhe veçmas tek Ura e Maskatarit.
Megjithatë, OZNA e mëpastaj UDB, kurrë nuk mundën të bëjnë gjumë të rehatshëm, sepse Hasan Alia – Remniku, me njësitin e vet, edhe pas tetë viteve të proklamimit të “Çlirimit”, ende po vepronte Anamoravës, si njëri nga disidentët e fundit, përderisa edhe këtë Tribunë të popullit, me zhbirje, kurthe e tradhëti, edhe të shqipfolësve, gjetën mënyrën ta vrasin.
Në emër të motos “Po e rrënojmë të vjetrën – po e ndërtojmë e ngrisim të renë”, pushteti sllavo-komunist, në mënyrë perfide rrënuan të gjithë monumentet dhe shenjëzimet kulturo-historike shqiptare në qytet.
Pasi që më 1938, mbrenda natës në mënyrë enogmatike ishte rrënuar Sahat-Kulla, me materialin e se cilës u ndërtua Kisha Ortodokse (edhe sot e gjithë ditën në të katër anët e pirgut të saj janë katër sahatat (orët) e kësaj Kulle), më vonë, pas luftës, u rrënuan edhe konaçet e Beglerëve, si dhe Hamami i qytetit.
Qyteti dhe induastria, në vend se në rrëpina, u ndërtua në tokën më pjellore të qytetit.
Kohën e Informbirosë, nga pushteti antishqiptar rankoviqist, u shfrytëzue për t”i eliminuar kuadrot dhe personalitetet më emblematike të qytetit e komunës, e kjo vazhdoi edhe në vitet e mëvonëshme, me Rexhep Elmazin, Beqir Musliun dhe një sërë të rinjësh që nuk pajtoheshin me metodat diskriminuese dhe gjenociduese të pushtetit antishqiptar.
Gjilani me rrethinë, në të gjitha kthesat historike kombëtare, pati bijë që me armë dhe me dije t’u kunërvehen pushtuesve. Që nga iluministi, Qamil Bala, nga Idriz Seferi, trimi i betejës së mirënjohur të Kaçanikut, dhe jo vetëm të saj, Isufi Kikit – Gjilanit, Ramiz Cërnicës, Mulla Idriz Hajrullahut, Halim Oranës, Ramadan Agushit, Maliq Qollakut, Sheh Tefik Mustafës, Rexhep Elmazit, Beqir Musliut, Isa Berishës, Femi Elmazit, Skënder Kastratit, Irfan Shaqirit, Fatmir Salihut, Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe një plejade të tërë atdhetarësh të historisë sonë më të re, duke dëshmur kështu në kontinuitet, se asnjëherë kjo popullatë e këtushme, nuk u pajtua me politikat antishqiptare.
Zatën, përkundër të shtypjes së çdogjëje shqiptare, Gjilani, edhe pas LDB, ia doli të zhvillojë një arsimim dhe veçmas një kulturë fare të shëndoshë kombëtare, përmes Teatrit të qytetit, Shoqërive Kulturo-Artistike, Shoqatave dhe Klubeve përkatëse të letrarëve dhe të piktorëve.
Krijuesit letratar gjilanas: Rexhep Elmazi, Ali Huruglica, Muharrem Shahiqi, Zejnullah Halili, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti, Shaip Krasniqi dhe një plejadë e tërë krijuesish tjerë, le që lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë mbarëkombëtare, por duke e pasur për subjekt ngjarjet dhe onomastikën gjilanase, e ngritën venlindjen e tyre në një topoleksemë letrare./Mediafokus.info/
(Shkrim i huazuar nga kronisti Hasan Bunajku)

