Gjilani me dy kryetarë të Komunës, njëri legjitim e tjetri ilegal

Shefik Surdulli

Komuna e Gjilanit ka një kryetar legjitim – legal, të zgjedhur me votën e popullit. Prej nga tani edhe një “kryetar” tjetër?!

A thua nëpër cilën derë paskësh kaluar ky i ashtuquajturi kryetar i komunës së Gjilanit?!

Institucionet e shtetit të Kosovës: (UD)presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke u marrë me vetvetën, fatkeqësisht, po lejojnë të kompromitohen edhe mëtutje, duke lejuar veprimet e institicioneve paralele serbe nëpër komunat tona.

Këtu nuk është fjala për veriun (në Mitrovicë), por për Komunën e Gjilanit.

Në emisionin e “TV Puls, Vesti”, të së dielës, më 13.12.2020, me rastin e shpërndarjes së dhuratave për fëmijët e komunitetit serb në Kuvcë, njëfarë Sasha Milosheviç, në pikë të ditës, u prezentua si kryetar i Komunës së Gjilanit.

Indiferenca jonë – e institucioneve kompetente të shtetit, po lejon këto veprime paralele – ilegale të shtetit serb në Kosovë, komprometuese dhe diskredituese gjithsesi për shtetin e pavarur të Kosovës.

Komuniteti serb në komunë të Gjilanit është i integruar në institucionet qeverisese demokratike të Komunës së Gjilanit, dhe i gëzon të gjitha të drejtat me kushtetutën e vendit.

Prandaj, nëse Serbia njëmend dëshiron të kujdeset për ta, ajo ktë mund ta bëjë në forma tjera legale – institucionale por assesi përmes këtyre ndërhyrjeve ilegale – kundërkushtuese!

Shteti i Kosovës, në këtë rast edhe kryetari Haziri, duhet të reagojë menjëherë e jo të bëjnë hajgare me këtë punë!
……………………………………………..
(Shefik Surdulli është këshilltar komunal dhe anëtar i Komitetit për Komunitete nga PDK Gjilan).