Gjilani sonte nis fazën e katërt të dezinsektimit hapësinor

Gjilani nis sonte fazën e katërt të dezinsektimit hapësinor dhe të fundit për sivjet. Njoftimi është dhënë nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Selami Xhemajli, drejtor i DSHMS-së, ka thënë se për dallim prej viteve të tjera, ku efekti është arritur në tri faza të dezinsektimit, këtë vit gjendja është ndryshe dhe në bazë të vlerësimit që ka dhënë Komisioni komunal dhe ekspertët e fushës, është i domosdoshëm edhe intervenimi i katërt.

“Pas ankesave të shumta që kanë ardhur me të drejtë nga qytetarët e Gjilanit, për shtim të insekteve e veçanërisht të mushkonjave, ne do të fillojmë me fazën e katërt të dezinsektimit hapësinor, nga sonte në ora 19:00 deri në orën 24:00, deri në përmbylljen e plotë sipas planit. Fillimisht do të bëhet dezinsektimi në qytet dhe do të vazhdohet gjatë ditës së nesërme e tutje edhe nëpër fshatra”, ka thënë ai.

Xhemajli u ka bërë thirrje bletarëve që deri në fund të javës, t`i mbajnë të mbyllura bletët, për të mos u dëmtuar nga preparatet.