Gjinovci reagon për skandalin e Liburn Aliut: Qeveria Kurti drejt një dështimi kolosal
Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar për skandalin e Liburn Aliut, ministria e të cilit nënshkroi marrëveshje me universitetin ku vet ai është i punësuar dhe merr pagë.
Me anë të një postimi në Facebook, Gjinovci ka thënë se Qeveria Kurti po shkon drejt një dështimi kolosal.
“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.
Ndryshe, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me shefen e kabinetit të kësaj ministrie, Rineta Jashari, kanë nënshkruar marrëveshje ndërmjet ministrisë që e udhëheqin dhe universitetit në të cilën ligjerojnë e marrin rrogë.
Pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e cila mund të shihet si favorizuese, ishin të dy vartësit e Ministrisë së Infrastrukturës, ku ministri shpërndau edhe fotografi në Facebook për konfirmimin e marrëveshjes, raporton lajmi.net.
Siç ka potencuar edhe ministri Aliu, kjo marrëveshje parasheh realizimin e studimeve dhe kontributeve të tjera shkencore në formë të përbashkët.
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, ka bërë të ditur Aliu në ‘Facebook’-un e tij.
Mirëpo, si Aliu, ashtu edhe Jashari, që të dy marrin pagë në Universitetin për Biznes dhe Teknologji. (UBT)
Sipas të dhënave të Agjencisë Anti-Korrupsion, në deklarimin e pasurisë, ministri Aliu figuron si ligjerues në UBT me pagë mujore 1 mijë e 128 euro.
Në deklarimin e pasurisë, shefja e kabinetit të ministrisë Aliut, si ligjëruese në UBT merr të ardhura vjetore 13.094.38 euro. Në të njëjtin universitet figuron i punësuar edhe bashkëshorti i saj, i cili ka të ardhura vjetore prej 7,938,20 eurosh, sipas AKK-së.

