Gjuha e shenjave dhe variacionet e saj
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është promovuar libri “Gjuha e shenjave dhe variacionet e saj” i autores Shpresa Orana Sejdiu.
Gjuha e shenjave nga semestri veror i vitit akademik 2021/2022 është futur si lëndë zgjedhore për studentët e vitit të parë të Fakultetit të Edukimit në UKZ.
Profesori i lëndëve pedagogjike, njëherësh drejtor i Institutit për hulumtime dhe kërkime shkencore, Mensur Neziri tha se libri është mjaft praktik dhe mund t’ju shërbejë studentëve që të marrin më shumë njohuri për gjuhen e shenjave.
Profesori Neziri ka treguar që UKZ çdo herë bënë modifikimin në programet e veta studimore, gjithnjë bazuar në kërkesat e tregut të punës, dhe sipas tij, me iniciativën nga komuniteti i Gjilanit, Fakulteti i Edukimit që nga semestri veror i vitit akademik 2021/2022, për studentët e vitit të parë, ka futur si lëndë zgjedhore, gjuhën e shenjave.
Ai ka thënë se me mësimin e kësaj lënde, studentët do të jenë më të kompletuar që edhe personave me nevoja të veçanta të ju ofrojnë edukim cilësor.
Edhe Nehat Ramadani, drejtor i shkollës fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ka thënë se libri “Gjuha e shenjave dhe variacionet e saj” është shumë i mirë, dhe njëherësh ka vlerësuar shumë të rëndësishëm edhe futjen e lëndës mësimore gjuha e shenjave, në plan programin e Fakultetit të Edukimit, duke thënë se një mësimdhënës i mirë do të jetë i përgatitur edhe në punën me fëmijë me nevoja të veçanta.
Kurse vet autorja e librit, Shpresa Orana Sejdiu tha se duke e ditur që gjuha e shenjave, është një gjuhë natyrore e komunitetit të cilët shqisën e të dëgjuarit nuk e kanë të zhvilluar, ka qenë shumë e rëndësishme që të jetë edhe si lëndë mësimore, për çka falënderoi UKZ për punën që ka bërë.
Ndërkohë në fund të promovimit, një grup i nxënëseve dhe studentëve të UKZ-së, të trajnuar për gjuhën e shenjave, kanë interpretuar një këngë në gjuhën e shenjave.

