Gjuha shqipe – pasuria jonë që po e humbasim përmes ekranit
Nga Dr. Elez Elezi
Jetojmë në një kohë kur gjithçka duket se matet me “trendin” dhe jo me thelbin.
Në këtë përditshmëri të shpejtë, vërej me shqetësim të madh përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të fjalëve të huaja në vend të termave të bukur dhe të pasur që na ofron gjuha jonë amtare – shqipja.
Më e dhimbshme bëhet kjo kur moderatorë televizivë, figurat publike dhe mediat – të cilët duhet të jenë shembuj për të tjerët – janë ata që përhapin më së shumti këto deformime gjuhësore.
Nga fjala “mim” në vend të “tallje” apo “memë”, tek “spajs” për të përshkruar dikë qesharak, e deri te “performance”, “story”, “trend”, “quote”, “like” – gjuha jonë po zëvendësohet në heshtje, dhe me të, edhe vetë shpirti i identitetit tonë kombëtar.
Gjuha shqipe nuk është e varfër, përkundrazi – është një ndër gjuhët më të vjetra dhe më të pasura të Evropës.
Siç e ka thënë Naim Frashëri me plot krenari: “Sa e ëmbël, sa e mirë është gjuha jonë!”
Atëherë pse të mos e ruajmë dhe t’ia mësojmë brezave me dashuri e respekt?
Është për çudi dhe për keqardhje kur dikush pretendon të jetë “në nivel ndërkombëtar”, por nuk di të shprehë mendimin në shqip, ose më keq, turpërohet nga gjuha e vet.
Mediat, veçanërisht ato kombëtare dhe lokale, kanë përgjegjësi të madhe kulturore.
Ata duhet të jenë gardianë të gjuhës – e jo të ndihmojnë në shkatërrimin e saj.
Moderatorët duhet të jenë shëmbëlltyrë e përdorimit të pastër të shqipes, dhe nëse nuk janë të aftë për këtë detyrë, institucionet përkatëse duhet të marrin masa.
Unë, si qytetar i thjeshtë i Gjilanit dhe si mjek me vite përvojë në këtë vend, ndiej përgjegjësi morale që të reagoj publikisht për këtë rrëshqitje të heshtur që po i bëhet gjuhës sonë.
Sepse, nëse humbim gjuhën – humbim identitetin, shpirtin dhe të ardhmen si komb.
