Gjurgjiali: U shokova kur e dëgjova në autobus këngën ‘Akoma po të pres’
Përderisa sot muzika është duke shkuar drejt krijimtarisë që dëgjohet brenda një stine, këngët e disave i bëjnë ‘rezistencë’ viteve, madje duke qenë vulë e periudhave kohore. Në këtë grup të vlerave të mirëfillta hyn edhe grupi 403, të cilët vazhdojnë t’i falin nostalgji dëgjuesve të vjetër, e një simpati për ata që tani njoftohen me artin e tyre.
Ky vit për ta ka qenë i frytshëm, teksa kanë publikuar këngët “Përralla e fundit”, “As vet s’e di” dhe dy versionet e videoklipeve të “Akoma po të pres”.
Gjurgjiali ekskluzivisht për KultPlus ka rrëfyer historinë e një kënge që ai e do shumë, por që ka një përvojë të hidhur.
Këngën “Akoma po të pres”, ia kanë vjedhur grupit vite më parë ende pa e publikuar, madje siç ai thotë, nëpërmjet një personit tejet të afërm, vëllait të tij që ishte edhe ish-basisti i grupit 403.
“Këngën “Akoma po të pres” e kam kompozuar dhe shkruar në 1995 në Tiranë ku jetoja në ato vite. Atë e kam incizuar në Tiranë në një studio profesionale në fund të vitit 1995. Është interesante që të gjitha instrumentet në këngë i kam luajtur vet. Pas finalizimit të këngës, me kërkesën time të gjitha incizimet në studio janë fshirë dhe vetëm unë kam pasur një kopje të vetme të saj në një kasetë magnetofoni.
Nuk kam dashur ta publikoj në atë kohë këngën, prandaj dhe e kemi dëgjuar vetëm disa herë unë dhe anëtarët e atëhershëm të grupit 403 në një lokal të një shoku tonë të përbashkët. E vërteta është se në asnjë moment atë kasetë nuk ia kam dhënë askujt për asnjë çast të vetëm. I vetmi rast ka qenë kur vëllai im Mentor Gjurgjiali (atë kohë basisti i grupit 403) ma kërkoi që ta merr me vete në makinë për të shkuar të kryej një punë për 1 orë. Duke e pasur basist në grup, e aq më tepër vëlla, unë ja dhashë. Pas një ore vëllai ma ktheu kasetën dhe çdo gjë për mua ishte në rregull.
Disa muaj më vonë, kur kthehesha për në Tiranë nga Prishtina me autobus, diku nga Maqedonia, ndodhi diçka që nuk e besoja. E dëgjova në një Radio lokale, këngën time “Akoma po të pres” e kënduar nga Mihrije Braha. Me plot sinqeritet ju them që isha në shok. Po, po. Vëllai im, Mentor Gjurgjiali, basisti i grupit 403 që, për 1 orë e kishte në duar kasetën time, e kishte kopjuar atë dhe më vonë ia kishte shitur apo falur Mihrije Brahës. Më tmerr se kjo nuk ka ku të shkoj.
Vëllain tim Mentor Gjurgjialin nuk e kam takuar që nga dita që ka marrë kasetën time për një orë, sepse pastaj ai ka shkuar në Gjermani e tani ndodhet në Amerikë.
Me Mentor Gjurgjialin kam folur dy herë me telefon. Herën e parë ka gënjyer si zakonisht duke thënë që nuk ka gisht ai në këtë punë. Herën e dytë kam biseduar me të me telefon në prani të shokut tim Arbnor Mulliqi dhe Naim Abazit në Tiranë. Vet Naim Abazi më ka treguar që në studio kur kanë shkuar me incizu këngën e kanë pasur kopjen e kasetës time. Pastaj i kam thënë Naimit që këngën ta ndaloj në emetim, dhe të gjejnë mënyrën e marrëveshjes Mentorin. Naimi më ka ka premtuar, por deri më sot nuk ka bërë asgjë”.
Kënga e sapo lansuar nga 403:

