Gjurmët tuaja jetojnë ndër breza

Besa Beqiri Hyseni

(Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në shenjë nderimi për kujdestarit tim të ndjerë, Prof. Shyqeri Hasani.)

Kush është Nëna? – kështu filloi të pyeste ndërkohë profesori i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në orën e parë që erdhi në Gjimnazin e pasluftës‘‘Kuvendi i Arbërit’’ në Ferizaj. Fillimisht, disi u çuditëm.

Por, kjo pyetje e thjeshtë priste me kureshtje përgjigje të nivelit të lartë njerëzor, gjuhësor, letrar e kombëtar.

Jo rastësisht, u përdor fjala Nënë, si çelës për të filluar dhe vazhduar plotësimin e mozaikut të edukimit, mësimit dhe vlerësimit gjatë shkollimit të mesëm nga kujdestari ynë, Shyqeri Hasani.

Kjo qasje polisemantike u përcoll në çdo fjalë, fjali, ligjërim, rrëfim e shtjellim. Ndërsa, për të tërhequr vëmendjen e nxënësve përdorte me mjeshtëri edhe ndonjë proverb, anekdotë, satirë si art të mësimdhënies.

Sa shpejt na rrëmbente në botën e dijës së tij, duke mbjellë në mendjet tona të vogla dashuri të madhe për atdheun, historinë shqiptare, gjuhën e letërsinë.

E shpirtëzimi i virtyteve të intelektualëve dhe idealistëve të rrallë të brezit të tij, tingëllonte më së miri kur citonte vargjet e rilindasve.

Ndër to edhe vargjet:
“Atë që bëri Skënderbeu me shpatë
Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”.

E kjo thënie sikur ishte gërshetuar në mënyrën më të mirë në vetë diskursin dhe portretin e tij që ishte një vepër në vete.

Një vepër e njerëzve hyjnorë që dinin të projektonin, luftonin dhe punonin për kombin dhe krijimin e shtetit tonë.

Mendjet e tyre të ngritura zgjuan dhe frymëzuan një popull të tërë.

I tillë ishte profesori ynë, gjurmët e të cilit do të jetojnë ndër breza nga prania e kultit të frymës së tij. Figura e tij prometiane do të shpaloset çdo herë e më shumë.

Asnjëherë nuk do të harrojmë kur na thoshte ‘‘Jeni me fat që i përkisni epokës së lavdishme të legjendarit Adem Jasharit’’.