Gjykata e Gjilanit ia cakton masën e paraburgimit të pandehurit F. Sh.
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh të pandehurit F. Sh.
Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.07.2022 rreth orës 17:00, në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në rrugë dhe vend publik, i pandehuri pas një mosmarrëveshje të rastit me të dëmtuarin E. E. i cili ishte duke dëgjuar muzikë dhe ishte i ulur ne veturën Golf 6, ngjyrë e bardhë si pasagjer, të njëjtin e sulmon fizikisht i pandehuri F. Sh., duke e goditur me grushte dhe shkelma disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, deri sa ndërhynë persona të tjerë të pranishëm për ta larguar të pandehurin.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘sulmi’ e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës penale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

