Gjykata e kthen në punë Rid Berishën, e detyron RTK-në t’ia paguajë mbi 28 mijë euro
Berisha kishte parashtuar padi më 7 tetor 2022, përmes të cilës ka kërkuar kthimin në vendin e punës në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe kompensimin e pagave për muajt sa ka qenë i larguar nga puna në shumën prej 28 mijë e 492 euro e 97 centë.
Kurse, e paditura- RTK në përgjigjen në padi, thuhet se ka kundërshtuar në tërësi kërkesëpadinë e Berishës si të pabazuar.
Andaj, Gjykata ka gjetur se padia e Berishës është e bazuar dhe se ka qenë brenda afatit ligjor, pasi që të njëjtit i është dorëzuar vendimi i RTK-së (i datës 23 shtator 2022) përmes e-mailit, pa të drejtë ankese, për çka Berisha pastaj ka ushtruar padinë.
Në vendim thuhet se për ndërpreje të mardhënies së punës, punëdhënësi është i detyruar të ndjekë procedurat përkatëse ligjore, duke u vërtetuar në tërësi gjendja faktike dhe duke i garantuar subjektit mbrojtje, të cilën sipas gjykatës, RTK del të mos e ketë bërë.
Po ashtu, në vendim thuhet se RTK është dashur që në afatin prej 5 ditësh të parashtrojë kërkesës për inicim të procedurës disiplinore ndaj Berishës.
Me rastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, RTK thuhet se është dashur ta thërrasë në takim paditësin për t’ia sqaruar vendimin dhe për t’i dhënë mundësinë e deklarimit.
Dhe se sipas Gjykatës, paraprakisht punëdhënësi duhet të zhvillojë procedurën përkatëse duke verifikuar dhe vërtetuar në tërësi gjendjen faktike për shkeljet e pretenduara, të jetë i arsyetuar mirë, pastaj të ndërpres marrëdhënien e punës.
“Andaj si përfundim gjykata gjeti se moszbatimi i një procedure të drejtë disiplinore ndaj paditësit, ka bërë që edhe gjendja faktike të mos vërtetohet drejtë kurse kjo ka pasur për pasojë mos vërtetimin e shkeljeve të cilat i janë vënë në barrë paditësit, qoftë edhe me një provë të vetme dhe si rrjedhojë ka rezultuar me nxjerrjen e një vendimi të drejtë dhe të ligjshëm“, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, RTK-ja e ka larguar Berishën për shkak të paraqitjeve të vazhdueshme nëpër media në kundërshtim me rregulloret e brendshme të RTK-së dhe instruksionet e menaxhmentit.
Më tej, thuhet se sipas vendimit të RTK-së, paditësi ka shpërndarë materiale të mediave tjera në Facebook, duke kryer kështu shkelje të rëndë disiplinore.
Mirëpo, sipas Themelores, punëdhënësi me rastin e pretendimit për shkeje disiplinore nga punonjësi, duhet të sigurojë prova dhe të argumentojë kohën dhe mënyrën e kryerjes së shkeljes.
Kështu, sipas Gjykatës, RTK duhej në vendim të specifikojë kohën, mënyrën, përshkrimin faktik për secilën paraqitje mediale që e ka bërë Berisha dhe jo në mënyrë të përgjigjithësuar.
Në vendim, thuhet se nuk është përshkruar përmbajtja e deklaratave publike apo atyre të postuara në Facebook.
Gjithnjë sipas vendimit, RTK është dashur të paralajmërojë paraprakisht Bërishën për shkeljet në të cilat mund të jetë i përfshirë, të verifikojë faktet, t’i jep mundësi të paraqesë mbrojtjen e në fund të marrë vendim të drejtë.
“Duke qenë se këto veprime nuk janë ndërmarr nga e paditura, rezulton se vendimi për shkarkimin e paditësit nga pozita e udhëheqësit të marketingut, është i kundërligjshëm, andaj, të njëjtin e anuloi sikurse në pikën II të dispozitivit të këtij aktgjykimi“, thuhet në vendim.
RTK-ja detyrohet që Rid Berishën ta kthejë në pozitën redaktor i redaksisë 1-RTK/Njësia e Planifikimit, pozitë të cilën e kishte sipas kontratës për kohë të pacaktuar, para shkarkimit.
Ndërkaq, vendimin lidhur me kompensimin e pagave ndaj Berishës prej 28 mijë e 492 mijë euro e 97 centë, Gjykata e ka bazuar në eksperizën financiare.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 7 ditësh pas pranimit të vendimit në formë të shkruar.
Lidhur me këtë vendim, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, Berisha tha se është i kënaqur me vendimin.
“Për mua është një statisfaksion vendosja e ligjshmërisë në këtë proces të gjatë që e kam pas dhe jam i kënaqur me ligjshmërinë që është vendos”, tha Berisha.
Ndryshe, sipas vendimit të Themelores, në padinë e 7 tetorit 2022, Berisha ka kërkuar anulimin e vendimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), për ndërprerje të marrëdhënies së punës, kthim në vendin e punës dhe kompensimin e pagave. /BetimipërDrejtësi

