Gjykata i shqipton dënim me burg prej një viti të akuzuarit R. H.
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues me një vit burgim ndaj të akuzuarit R. H., për shkak të veprës penale ‘lëndim i rëndë trupor’.
Më datë 22 korrik 2021, rreth orës 00:40 minuta në diskotekën “Stop” në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i akuzuari, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L. B., ashtu që fillimisht e godet në pjesën e prapme të kokës me dorëzën e revoles, mjet ky i rrezikshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, e më pas me grushte e godet në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve të buta dhe plagë ndrydhëse qarëse, me ç’rast i dëmtuari ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional të Gjilanit.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjyqtari i vetëm gjykues në Departamentin e Përgjithshëm, ka shqiptuar dënim prej një viti burgim, të cilin dënim do të vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, thuhet në njoftim.

