Gjykata i cakton paraburgimin serbit të dyshuar për dhunimin e të miturës në Kamenicë

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit M. J.

Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muaji tetor 2021, i pandehuri në komunën e Kamenicës, e ka keqpërdorur seksualisht të miturën e moshës 12-vjeçe, e cila nuk ka mundur të gjykojë dhe t`i vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë.

Me këto veprime, i pandehuri M. J. dyshohet të ketë kryer veprën penale – dhunimi, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, duke marr parasysh edhe faktin që ai është serb dhe ka nënshtetësinë e Serbisë dhe mund t`iu ikën organeve të drejtësisë.

Përndryshe, ndaj këtij rasti ka pasur shumë reagime, përfshirë edhe deputeten Vasfije Krasniqi Goodman, e cila gjatë luftës ka qenë viktimë e dhunës seksuale.