Gjykata në Gjilan tregohet efikase në zgjidhjen e lëndëve gjatë tremujorit të parë të vitit 2022

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, gjatë një konference për media, të mbajtur të mërkurën, ka prezantuar raportin e tremujorit të parë të vitit 2022.

Azizi ka thënë se numri i lëndëve të pranuara në krahasim me numrin e lëndëve të zgjidhura, është pozitiv.

“Gjykata Themelore në Gjilan për muajt janar – mars ka treguar sukses në zgjidhjen e lëndëve duke arritur në 106%. Dega në Kamenicë efikasitetin e ka pasur 89%, Dega në Viti ka treguar efikasitet 80%, ndërsa Dega në Novobërdë 66%”, ka thënë Azizi.

Gjykata Themelore në Gjilan një prioritet i ka dhënë zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit.

Departamenti i Krimeve të Rënda ka pranuar 4 lëndë gjatë këtij tremujori, ndërkohë ka arritur të zgjidhë 10 lëndë të kësaj natyre, prej tyre 7 aktgjykime dënuese dhe 3 aktgjykime liruese.

Numri i këtyre lëndëve në Gjykatën Themelore në Gjilan ka rënë aktualisht në 14 lëndë.

Prioritet i është dhënë edhe zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje, lëndëve me narkotikë dhe grabitjeve, ka thënë Azizi.

Përndryshe, më 17 prill 2022, Azizi e përfundon mandatin 4-vjeçar si kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan.