Gjykata në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë për 25 të pandehur

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.K, A.SH, A.H, B.L, D.L, F.S, F.GJ, G.A, G.H, G.SH, G.T, H.D, H.P, H.H, I.D, I.D, I.T, K.S, L.H, M.B, R.T, S.M, XH.H, XH.H dhe XH.L për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotorpe dhe analoge’, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrja e ryshfetit’, ‘Ushtrimi i ndikimit’ dhe ‘Kontrabandimi i mallrave’.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër njëzet e pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

Të pandehurve iu është caktuar paraburgimi në bazë të nenit 165 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5 pika 2.5.2 dhe 2.5.3 të KPPK-së.

Gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore edhe për njëzet e pesë të pandehur të tjerë, ndërsa vendimi do të merret gjatë ditës së nesërme, thuhet në njoftim.