Gjykata në Prishtinë shqipton 26 vjet burgim për katër të akuzuar

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve XH.SH, S.SH, I.S dhe A.G.

I akuzuari XH.SH është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 9 vite, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 02.12.2018 e tutje, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 25 mijë € për veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’.

I akuzuari S.SH është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 02.12.2018 e tutje si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 15 mijë €, për veprën penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

I akuzuari I.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 9 vite, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 02.12.2018 e tutje si dhe dënim me gjobë në shumë prej 25 mijë € për veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ lidhur me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe veprën penale ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’.

I akuzuari A.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 26.03.2019 deri me datën 05.07.2019, për veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale’, ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’, ndërsa lirohet nga akuza për veprën ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Gjykata, në harmoni me nenin 62 paragrafi 2 nënparagrafi 2.7 dhe 69 të KPRK-së, shqipton dënim plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale dhe atë: narkotikë e llojit “Heroinë”, në peshë bruto prej 113 kg e 507 gramë dhe disa gramë Heroinë, substancë e kundërligjshme e përdorur për kryerjen e veprës penale, një veturë BMW si dhe disa konfiskime të tjera të cilat janë përdorur për kryerjen e këtyre veprave penale.

Me aktvendim të veçantë PS.67/19, të datës 27 shtator 2022 gjykata komform nenit 367 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me paragrafin 2, 6 dhe 7 të KPPRK-së, të akuzuarve XH.SH, S.SH dhe I.S, ua ka vazhduar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.