Gjykata shpall aktgjykim dënues ndaj P.K. për shpërlarje parash

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallë aktgjykimin kundër të akuzuares P.K për veprën penale ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 dhe 3 të Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

E akuzuara P.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjobë prej dhjetëmijë (10.000) €uro dhe me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve.

Me kërkesën dhe pëlqimin e të akuzuarës, konform nenit 44 të KPRK-së, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gashtë (6) muajve, i është zëvëndësuar me dënim me gjobë në shumën prej tetëmijë (8000) €uro.

Andaj, gjykata konform nenit 76 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 të KPRK-së, për dënimin me gjobë dhe dënimin e zëvendësuar me gjobë të akuzuarës ia shqipton dënimin unik me gjobë në shumë prej tetëmbëdhjetëmijë (18.000) €uro, të cilin dënim e akuzuara P.K duhet ta paguajë në afat prej dy (2) muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Konfrom nenit 92 paragrafi 1 të KPRK-së dhe nenit 282 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.5 të KPP-së, ndaj të akuzuarës konfiskohet shuma e parave prej 91,080.00 £ GPB (nëntëdhjetë e njëmijë e tetëdhjetë funte britanike), si pasuri që janë përfituar me vepër penale dhe obligohet Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në Prishtinë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, t’i marrë nën administrim dhe menaxhim paratë e konfiskuara me këtë aktgjykim dhe e njëjta t’i administrojë në përputhje me Ligjin mbi Agjencinë.