Gjykatën Speciale nuk e bënë Basha ose Berisha, atë e votoi Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë dhe Shqipëri ka plasur një debat rreth dëshmive për masakrën e Krushës, shtëpinë e verdhë dhe raportin e Dik Martit, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm shqiptarët në momentet kyçe të historisë.

Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Shqipëria i ka dalë në krah Kosovës në kohën më të vështirë në rrugën drejt çlirimit, pa marrë parasysh se kush ka qenë në krye të Qeverisë.

Sa i përket Gjykatës Speciale, kinse dikush paska qenë kundër UÇK-së, Mustafa thotë se për formimin e Gjykatës Speciale ka vendosur Kuvendi i Kosovës dhe se atë nuk e ka bërë Sali Berisha ose Lulëzim Basha.

Shkrimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Shqipëria i doli në krah Kosovës në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve, ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vjet kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999 dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë. IM