Greqia s`e ka njohur Kosovën, por e mbështet liberalizimin e vizave shkaku i turizmit
Shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, por prej tyre, Greqia e mbështet liberalizimin e vizave.
Kryetari i Athinës, Kostas Bakoyannis, pas takimit me Shpend Ahmetin, në një konferencë të përbashkët për media, ka thënë se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe duket se këtë e ndërlidhë me turizimin.
“Ne duam që gjithnjë e më shumë njerëz nga Kosova të vizitojnë Athinën. Ne besojmë se do të jemi në gjendje të hapim vendin tonë për vizitorët dhe turistët sa më shpejt të jetë e mundur, duke u siguruar që të gjithë ata që na vizitojnë do të ndihen të sigurt. Nuk ka të bëjë vetëm me mikpritjen, nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin dhe detin, ka të bëjë me ndjenjën e sigurisë në Athinë, dhe ne do të sigurohemi që të mbrojmë shëndetin e banorëve dhe vizitorëve tanë. Dhe sigurisht, në këtë kontekst, jam i sigurt dëshironi ta dini, Greqia mbështet liberalizimin e vizave. Në të vërtetë ne jemi mbështetës të suksesit evropian të Kosovës”, tha ai.

