Gruaja 112 vjeçe që përjetoi vdekjen e burrit, djalit dhe nipit

Kjo grua ka 112-vjet dhe fatmirësisht ende është e fortë dhe aktive. “Jeta është e shkruar nga Zoti, ka rënë kjo kolera dhe të gjithë janë trembur për jetën, por ne jemi kurbanë të perëndisë”, shprehet ajo.

Quhet Qamile Marra dhe ka lindur në 19 Gusht 1909. Nënë Qamilja jeton në fshatin Ferras të Kuçovës që prej ditës kur është martuar e deri më sot dhe ka lindur 6 fëmijë.

Ajo gëzon shëndet të mirë dhe për çudinë e të gjithëve vazhdon ende të bëj punët e shtëpisë e të kujdeset për kopshtin e gjënë e gjallë. Nënë Qamilja që dëgjon me pak vështirësi, tregon për News24 jetën e saj. Ajo e fillon nga martesa, shpërngulja nga shtëpia e saj e parë pas përmbytjeve që shkaktoi lumi Devoll në këtë zonë në kohën e komunizmit e deri tek lindja e fëmijëve, duke u shprehur “krenare” që ka rritur e vetme 6 fëmijë dhe 6 nipër e mbesa.

Nënë Qamilja pohon se ajo kujdeset vetë për veten e saj që nga larja, krehja e deri tek larja me dorë e rrobave të saj, të cilat nuk do në asnjë mënyrë t’i fusë në lavatriçe. Duke treguar edhe dhimbjet që ka pësuar në jetë (me vdekjen e shpejtë të burrit e më pas vdekjen e një djali dhe një nipi), nënë Qamilja shprehet se jeta e saj ka qenë e rrethuar me dashuri nga të gjithë.

E pyetur në lidhje me pandeminë që ka rënë në vend prej 1 viti, ajo shprehet se nuk ka frikë nga koronavirusi. “Jeta është e shkruar nga Zoti, ka rënë kjo kolera dhe të gjithë janë trembur për jetën, por ne jemi kurbanë të perëndisë”, shprehet ajo.