Gruaja në Gjilan e pranon para gjykatës se e inskenoi rastin e dhunimit

E arrestuara që dyshohet se inskenoi një rast, ku tha se është dhunuar seksualisht e më pas i janë rrëmbyer edhe disa stoli ari, e ka pranuar fajësinë.

Nacionale raporton nga Gjykata Themelore në Gjilan se e dyshuara ka pranuar fajin, duke thënë se motivi ka qenë për shkak të situatës së saj financiare.

“Du me ju kërku falje. Unë kur e kam ba qeta nuk jam kanë mirë. I kam ra pishman ma. E kam ba. 3 dit përpara jam kanë e smut. Jam pendu shumë. Prej fukallarakut e kam ba këtë. Vec ju kërkoj falje.” – ka thënë ajo.

Çka kishte thënë Prokluroria për rastin?

Në një komunikatë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, thuhej:

“E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”./Nacionale/