Gruaja që i sulmoi dy gazetaret u lirua dje pas intervistimit, Prokurori i Shtetit sot urdhëroi ndalimin e saj

Ndalimi i të dyshuarës për sulmin ndaj dy gazetarëve të mediumit “Lajmi.net” erdhi pas publikimit të pamjeve shqetësuese dhe të papranueshme, që u publikuan të mërkurën mbrëmë. E dyshuara e cila tashmë ndodhet në ndalim policor, fillimisht është liruar gjatë ditës së djeshme, pasi rasti ishte denoncuar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi sot se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe grumbullimit të provave shtesë, Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim.

Pra, e dyshuara Mirvete Bajraliu, është shoqëruar dje në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa më pas është lënë e lirë dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Kurse sot, e njëjta është ftuar prapë nga Policia, m ç’rast ka dhënë deklaratë shtesë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave, Bajraliu është dërguar në mbajtje për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Nga Prokuroria kanë bërë me dije se është intervistuar edhe një person i dyshuar i përfshirë në këtë rast.

“Po ashtu, në këtë çështje penale janë marrë deklaratat e palëve të dëmtuar dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore.” – thuhet tutje në njoftim.