Grumbullime të njerëzve në Brezovicë pavarësisht masave kundër pandemisë

Të shtunën (12 dhjetor) qindra persona janë grumbulluar në qendrën e skijimit në Brezovicë, pa respektuar distancën fizike dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse kundër COVID-19.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, ka vizituar këto mjedise dhe ka parë shumë njerëz që frekuentonin këtë qendër të turizmit, pa respektuar masat kundër koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me policinë në komunën e Shtërpcës. Zyrtarët policorë thanë se kanë dërguar njësitë policore në këtë zonë, pas raportimeve për grumbullime të njerëzve.

Mbajtja e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura është obligative në Kosovë dhe po ashtu edhe distanca fizike.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 45,594 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.