Guri i Shypes, ku gjendet ky monument karakteristik i natyrës
Izeir Hyda
(Toponimet e vendlindjes sime, Pogragjë për 13 gurët karakteristik si monumente të natyrës).
Ka diçka te këta Gurë që nuk e thonë me fjalë, por, megjithatë, flasin emrat e tyre, flet prezenca e tyre.
“Monumetet e natyrës janë krijme të natyrës së gjallë dhe të pajetë ose grupe të tyre me vlerë të veçantë natyrore shkencore, kulturore, historike apo peizazhe, dhe karakterizohen nga veçori individuale që dallojnë nga krijimet e tjera, pëmët e mëdha, shkurret e specieve, burimet e ujërave, ujëvarat, shkëmbinjët, gurët, gurë të çrregulltë, shpellat”…etj.
Duke u bazuar në përkufizimin e mësipërm konkludojmë se edhe Gurët e Pogragjës janë monumente të bukura të natyrës që ia shtojnë edhe më shumë vlerën këtij fshati.
Gurët karakteristik të Pogragjës dhe toponimet e tyre
Guri i Tomakëve, Guri i Kalasës, Guri i Madh në Llapushnicë, Guri i Kuq, Guri i Frymë, Guri i Shybes, Skrepi, Te Gurët, Gurina, Guri i Cenajve, Guri i Madh
(Guri i Zi), Gurët e Xhepës dhe Gurët e Gjarpnojëve.
Gjashtë Gurët të parë gjenden në afërsi të Kalasë. Secili nga këta gurë ka karakteristikat e veçanta natyrore dhe shih për këtë kanë edhe emra të vëçantë – të pëveçëm, që i kanë marrë sipas përkatësisë – Guri i Tomakëve; sipas vendit – Guri i Kalasë; sipas madhësisë Guri i Madh (në lumin e Llapushnicës); sipas formës – Guri i Frymë; sipas ngjyrës – Guri i Kuq.
Ndërkaq, Guri më karakteristik nga këta gjashtë Gurë që i përmendëm është Guri i Shybes (Guri i Shypes – Shqipes)
Guri i Shqipes si Monument natyre dhe destinacion turistik
Guri i Shqipes gjendet rreth 800/m në lindje të Kalasë që është bërë Guri më i vizituar, edhe për shkak të bukurive natyrore që ka përreth e sidomos për shkakun se mbi këtë shkëmb është ndërtuar ‘Zip Line Green Valley”.
Ky kombin i bukurive të natyrës me sportin e lëshimit në litar e ka bërë vendin më të vizituar në Komunën e Gjilanit dhe më gjërë.
Skrepi (Gurët e Skrepit)
Është njëri ndër toponimet më të vjetra Gurëve të Pogragjës. Skrepi gjendet në anën e majtë të lumit Morava, një km në Verilindje të Kalasë; ndërmjet Përroit të Larushës dhe Arës së Hashankës.
Ky shkëmb, ana ballore e të cilit ka formën e një trekëndëshi barabrinjës, dhe ka pjerrtësinë më të madhe nga të gjitha kodrat përreth.
Fjala skrep është fjalë e vjetër shqipe me bazë indoeuropiane, që ka kuptimin e një shkëmbi të thepisur. Pikërisht, kështu është Skrepi i Pogragjës.
Skrep – Skrepi – Skrepat – Shkrepat, Shkrepat e maleve.
Toponimi Te Gurtë emërton një vend që gjendet aty ku derdhet Përrocka në lumin Morava. Këta gurë të mëdhenj, pothuajse janë mbuluar nga vërshimet e herë-pas-herëshme të Përrockës.
Gurina
Një shkëmb masiv, gjendet në anën e djathtë të Përronit të Lopëve, ngjitas me shtëpitë Ibishve, në fillim të rrugës së vjetër të Llovcës.
Guri i Cenajve
Është një shkëmb karakteristik, në hyrje te fshatit, në anën e djathtë të lumit Morava, pikërisht aty ku derdhet Përroi i Lopëve. Mbi këtë shkëmb shtrihet një rrafshinë në formë sofre, që i ngjanë shkëmbit të quajtur ‘Sofra e Skënderbeut’.
Në këtë sipërfaqe është ngritë një lagje shumë e bukur – ‘Lagjja e Cenajve’, nga e ka marrë emrin ‘Guri i Cenajve.
Guri i Madh apo Guri i Zi
Guri i Madh apo Guri i Zi gjendet në Përroin e Jonuzit. Ky gur i madh ka ngjyrë të zezë që e ka marrë nga rrezet e diellit për mijëra vjet. Ky shkëmb ka 10 gurë të mëdhenj me forma të rregullta si të ishin gurë të latuar; të vendodur mbi një bazë te madhe, njëri mbi tjetrin dhe dukën si një mur i punuar nga mjeshtër të përsosur.
Gurët e Xhepës
Toponimi te Gurët e Xhepës (Xhepës Rashitit), emërton një grumbull gurësh të mdhenj, të bardhë që ishin vendosur në formë të çrregulltë, në anën e majtë të rrugës kryesore të fshatit, rreth 100m larg Xhamisë në kthesën e parë djathtas. Edhe pse tani nuk janë më aty, toponimi ka mbetur ‘Te Gurtë e Xhepës’.
Gurët e Gjarpnojve – topik me emrin e gjarpërit
Këta gurë të mëdhenj të shkapërderdhur me forma të çrregullta gjenden në kodrën me të njëtin emër ‘Kodra e Gjarpnojve’. Ky shkëmb shtrihet në anën e djathtë të lumit Morave, në kilometrin e tretë të rrugës Pogragjë – Dobërçan dhe ka formën e e një kapele me strehë.
Në trojet shqiptare ka shumë emërtime që lidhen me emrin e gjarpërit si Guri i Gjarpnit, Vrima e Gjarpnit, Shpella e Gjarpnojve etj. Lidhen me këtë emër se aty ka gjarpinj.
Edhe te vendi i quajtur ‘Gurët e Gjarpnojve’ kishte shumë gjarpinj që shpesh herë shiheshin duke e këputur rrugën, për të pirë ujë në lum.
Edhe për Gurët e Pogragjës, janë thurrë legjenda të ngjashme me legjendat tjera, që tregohen për gurë të ndryshëm.
Por këta gurë, kryesisht, kanë shëbyer si pika referimi, apo pikëtakime. Si për shembull: ‘Dil te Gurët e Xhepës’. ‘Pak pa mbërri te Gurët e Gjarpnojve’. ‘Takohemi te Guri i Kalasë’… etj.

