Hajdar Beqa akuzohet për syzet e ministrit Murati, rrezikon të dënohet me burg

Hajdar Beqa rrezikon të dënohet me gjobë ose me burgim për përfshirje në përleshjen që ndodhi në kuvend tre muaj më parë, por edhe për dëmtim të syzeve të ministrit Hekuran Murati.

Deputeti i PDK-së, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe deputetin Mërgim Lushtaku, akuzohen për veprën penale të ‘sulmit’.

Por, Beqa akuzohet edhe për një vepër tjetër penale: atë të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Kjo vepër me të cilën është ngarkuar Beqa, ndërlidhet me syzet e Hekuran Muratit, të cilat deputeti ia kishte marrë ministrit Murati dhe me të njëjtat e kishte goditur.

Në një intervistë disa ditë pas ngjarjes, deputeti Beqa kishte thënë se nuk ka qenë në dijeni se si i kishin rënë në duar syzet e ministrit.

“Nuk e di nga kanë ardhur [syzet], vetëm kur i kam parë në duart e mia”, kishte thënë Beqa.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, veprat penale të sulmit dhe të dëmtimit apo asgjësimit të pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Bazuar në Kodin Penal, ai rrezikon maksimumi deri në dy vjet burgim, ose minimumi dënim me gjobë për të dy veprat penale./paparaci