‘Hajde se kam vrarë nënën’
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e djeshëm banorët e fshatit Burim të Dibrës, ku nusja ka therrur me thikë vjehrrën
Sipas Policisë lokale, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që dyshohet se 74-vjeçarja është masakruar pasditen e së shtunës. Po ashtu, mësohet se 44-vjeçarja që shkaktoi tragjedinë kishte probleme me shëndetin mendor dhe se në momentin e krimit dy gratë ishin të vetme në shtëpi, shkruan panorama.com.al
Në momentin që Komisariati i Policisë është informuar për krimin brenda familjes, ka dërguar në Maqellarë efektivët, të cilët kanë kryer arrestimin e Miranda Markjas, e akuzuar për “Vrasje me dashje”. Po ashtu, pranë banesës efektivët e rendit gjetën dhe sekuestruan thikën me të cilën nusja vrau vjehrrën.
Burimet shtojnë se gjashtë orë pas ekzekutimit të vjehrrës, nusja i ka telefonuar bashkëshortit, i cili shiste në tregun e qytetit, duke e njoftuar për ngjarjen e ndodhur. Djali i Nazmie Markjas sapo ka marrë lajmin është kthyer me urgjencë në shtëpi dhe e ka gjetur nënën të pajetës. Ndërkohë në banesë ka gjetur gruan e tij, e cila as fliste, as reagonte pas ngjarjes.
Zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Dibër bënë me dije se Miranda Markja ka goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit vjehrrën e saj, Nazmie Markja.
“Në oborrin e familjes Markja gjetëm trupin e pajetë të viktimës, Nazmie Markja, mbi një pellg gjaku. Ndërkohë, autorja e krimit ishte mbyllur në banesë dhe nuk fliste. Diku pranë trupit të pajetë të 74-vjeçares gjetëm edhe mjetin, me të cilin nusja i shkaktoi vdekjen vjehrrës së saj të moshuar. Deri në mbrëmje Miranda Markja nuk ka folur. Ajo duket shumë e tronditur dhe e traumatizuar. Kemi siguruar një psikolog dhe po hetojmë rreth shkaqeve të krimit”, sqaruan zyrtarë të Policisë Dibër.
Ende nuk është e qartë nëse nusja dhe vjehrra kanë pasur ndonjë konflikt të çastit apo 44-vjeçarja e ka kryer krimin në kushtet e depresionit. Fqinjët e familjes thonë se Miranda Markja kishte shfaqur probleme psikike, por nuk kishin dijeni nëse kurohej apo ishte shtruar ndonjëherë në spital për problemet që kishte shfaqur.
Rushit Markja, komshi i familjes Markja, u tha mediave se Miranda Markja kohët e fundit kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor dhe se mes nuses dhe vjehrrës ka pasur debate të herëpashershme.
“Miranda ka pasur probleme mendore. Unë i kam kushërinj dhe jam ndjerë shumë keq për ngjarjen e ndodhur. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, rreth orës 16:30. Nuk e di pse nuk u bë publike që kur ajo ndodhi. Unë nuk kam qenë në shtëpi kur ka ndodhur krimi, por të afërmit më thanë se Nazmia ka bërtitur me zë të lartë, por askush nuk ka vajtur aty për t’i ardhur në ndihmë. Miranda me djalin e Nazmies kanë pasur katër fëmijë. Burri ka qenë duke shitur, shet në rrugë dhe e ka lajmëruar nusja burrin ‘hajde se kam vrarë nënën’. Nusja dhe vjehrra kanë pasur gjithë kohën konflikte me njëra-tjetrën”, shprehet për panorama.com.al Rushit Markja.

