Hajnat plagosin policin në Veternik
Një zyrtar policor është plagosur mëngjesin e së premtes nga disa hajna që kishin shkuar për ta vjedhur bankomatin e një qendre tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës në një përgjigje për Express.
Policia bëri me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 5 e 30 minuta. Sipas njoftimit, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka pasur të shtëna me armë zjarri.
“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Aktualisht policia është në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po i ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së në Prishtinë, Agron Borovci.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, i ka thënë Gazetës Express, se polici është liruar për në shtëpi pas trajtimit mjekësor.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka reaguar pas plagosjes së policit të Kosovës mëngjesin e ditës së sotme. Hoti e ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, parandalimit të kryerjes së vjedhjes, në njërën prej qendrave tregtare në kryeqytet. Kryeministri Hoti, zyrtarit policor i dëshiron shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që thekson se integritetit fizik i policit është i pacenueshëm, ndërsa sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të pa pranueshme. Kryeministri Hoti shpreh mbështetje të parezervë dhe mirënjohje për punën e Policisë së Kosovës, Institucionit më të besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në reagimin e Hotit.

