Hajni që vodhi 5 mijë euro në Shadërvan u kap në lokal nate në Prizren, rezulton i kërkuar edhe nga Policia e Gjilanit
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje,
Kështu ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës, në Sheshin “Shatërvan” në Prizren, ku një shtetas shqiptar dyshohet se i ka marrë një shumë të konsiderueshme të hollash një qytetari nga Kosova.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari, A. P, dyshohet se i ka vjedhur 4900 euro nga çanta e A. K, derisa ndodheshin në zonën e njohur për frekuentim gjatë natës, pranë kafiterisë “Oaza”.
Policia ka reaguar shpejt dhe, rreth orës 04:00, ka arritur ta lokalizojë të dyshuarin në lokalin e natës “Emona 2000”. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht 2540 euro, për të cilat dyshohet se janë pjesë e shumës së vjedhur.
I dyshuari ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e arrestimit. Më vonë, rreth orës 10:00, ai është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar kryerjen e veprës penale të vjedhjes.
Prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar për të dokumentuar të gjitha rrethanat e rastit.
Sinjali mëson gjithashtu se, pas verifikimit të bërë për A.P, ka rezultuar se ai është person i kërkuar edhe nga Policia në rajonin e Gjilanit, për raste të tjera nën hetim.

