Haki Rugova shpallet fajtor, dënohet me burgim efektiv

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për konflikt interesi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharaxhiu, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 mars 2018, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova i ka mundësuar interes financiar vëllait të tij, Gani Rugovës, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.