Hamasi ekz*kuton publikisht tre “kolaboracionistë” të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin

Autoritetet e udhëhequra nga Hamasi në Gaza kanë ekzekutuar tre burra të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, tha një zyrtar palestinez, përderisa grupi po mundohet që t’i tejkalojë sfidat që po paraqiten nga grupe të tjera militante, për të cilat thotë se po punojnë kundër tij me mbështetjen nga Izraeli.

Në një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet ekzekutimi i tre personave, një burrë i maskuar shihet duke u dhënë një paralajmërim “të gjithë kolaboracionistëve” para se tre të akuzuarit, të cilët po qëndronin në gjunjë e me sy të lidhur, shtyhen me këmbë nga prapa nga ekzekutuesit për t’u rrëzuar me gjoks në tokë dhe qëllohen disa herë me armë të gjata nga afërsia.

Agjencia e lajmeve “Reuters” e vërtetoi vendin ku shfaqet skena përmes ndërtesave, një pompe të benzinës, shtrirjes së rrugëve dhe shenjave që shihen në video, të cilat përputheshin me pamjet satelitore të zonës.

Gati dy vjet që nga fillimi i luftës në Gaza dhe kur Hamasi është nën presion të vazhdueshëm nga ushtria izraelite, grupe të vogla të palestinezëve të armatosur që kanë dalë kundër tij janë shfaqur në disa pjesë të Gazës, ku kanë operuar kundër Hamasit, sipas banorëve dhe burimeve të afërta me Hamasin dhe me këto grupe, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtari palestinez i sigurisë në qeverinë e udhëhequr nga Hamasi tha se ekzekutimi i tre personave u bë të dielën nga “Dhoma e Operacioneve të Përbashkëta e rezistencës palestineze”.

ParalajmërimVideoja e mëposhtme përmban pamje të rënda. Nuk rekomandohet për personat e ndjeshëm dhe ata nën moshën 18-vjeçare.

Qëllimi i ekzekutimit të tre burrave ishte dërgimi i një “porosie të qartë dhe që të shërbejë si parandalues për këdo që është i tunduar për të bashkëpunuar me pushtuesin”, thuhet më tej.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Gjatë luftës, Hamasi ka thënë se ka ndëshkuar publikisht njerëz për krime të ndryshme, përfshirë plaçkitjen dhe bashkëpunimin me Izraelin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pranoi publikisht në qershor të këtij viti se vendi i tij ishte duke armatosur klane që janë kundër Hamasit, por nuk tregoi se cilat prej tyre saktësisht.

Rebeli më i njohur me qëndrime kundër Hamasit është Yasser Abu Shabab, i cili qëndron në qytetin Rafah, në jug të Gazës, zonë që kontrollohet nga Izraeli. Ai ka mohuar se ka marrë mbështetje nga Izraeli ose që ka kontakte me ushtrinë izraelite./Nacionale