Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin
Kryetari i partisë së dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e ka problem të takohet me kreun e partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, për marrëveshje politike.
Megjithatë, ai ka thënë se përgjegjësia i takon Albin Kurtit për ta konstituuar Kuvendin dhe ta formojë qeverinë.
“I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, që nuk janë serbë, por të komuniteteve tjera, dhe e ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin, të gjitha pozicionet e Kuvendit, edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve. Ne i votojmë nënkryetarët, për shkak se e kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza mes tjerash në intervistën e parë ekskluzive pas zgjedhjeve të dhjetorit.
I pyetur se a do ta votojë PDK-ja kryetarin e Kuvendit, Hamza tha: “Pse me pasë ne votë? I kanë ata, i mjaftojnë. Dhe normalisht, pa marrëveshje politike, nuk votojmë”.
Tutje, kreu i PDK-së tha se nuk janë në pritje të asnjë partie për marrëveshje, teksa potencoi se partia e tij ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për tema në interes të vendit, për çka tha se do të jetë edhe në të ardhmen.
“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet tema dhe mënyra e ftesës. Sepse edhe me të ftu, duhet me të ftu mirë dhe mbarë. Kjo i bie që mos me ta çu ftesën mirë dhe qartë, me pas çfarëdo prapavie apo tendence, nuk funksionon”, deklaroi Hamza në Rubikon të Klan Kosova.

