Hapen vendvotimet, këto janë masat që duhet të zbatohen
Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Në këto zgjedhje lokale të drejtë vote kanë 1 885 448 persona.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatojnë ditën e zgjedhjeve.
Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;
Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;
Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;
Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;
Pas identifikimit, rivendoseni maskën;
Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimet dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimet në kutitë përkatës;
Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart.
Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti dhe lëvizjen Vetëvendosje, që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

