Haradinaj: Assesi koalicion me VV-në, do të insistoj për një qeveri të opozitës
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka dalë sot në një konferencë ku ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Haradinaj tha se përkundër këtij rezultati, do të vazhdojë punën për një qeveri të opozitës.
“Edhe pse jemi në rezultate preliminare, 90 % të votave të numëruara, kanë mbetur edhe 10%, votat e diasporës, votat me kusht e pranoj që rezultati nuk është i mirë. Nuk jam i kënaqur me këtë rezultat”, ka thënë ai.
Ai tha se ky rezultat nuk i është i mjaftueshëm për ta ndihmuar Kosovën në procese.
“Ne do ta vazhdojmë këtë rrugëtim për t’i dhënë Kosovës qeverinë opozitare edhe në këtë rrethanë çfarë jemi. E vërteta është se opozita ka fituar shumicën e votave krahasuar me partinë në pushtete e cila pas katër viteve qeverisje nuk arriti të mbajë votat e veta”, u shpreh ai.

