Haradinaj i reagon ashpër Kurtit pas sulmeve ndaj prokurorit Isufaj

“Rrëshqitje në diktaturë” e ka vlerësuar Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, fjalimin e sotëm të Kryeministrit Albin Kurti në Kuvend ku sulmoi ashpër prokurorinë kosovare e në veçanti prokurorin Blerim Isufaj. Diskursin e Kurtit sot në raport me prokurinë pas arrestimit të Nagip Krasniqit, Haradinaj e quajti jo vetëm të gabueshën “por edhe me pasoja të rënda për shtetin dhe drejtësinë”.

“Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti. Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz”. Në këtë kontekst, Haradinaj thotë se i ka kërkuar sot kryeministrit dhe vartësve të tij që të rreshtohen në anën e drejtësisë dhe të distancohet nga sulmet e bëra ndaj prokurorisë. “Në të kundërtën, ai do të shndërrohet në sinonim të një kryeministri autoritar dhe gjithë pasojat do t’i bartë ai vet!”.