Haradinaj: KQZ ma konfirmoi se vendimi për diasporën është marrë unanimisht nga të gjitha partitë politike

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook se ka pasur një bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, pas shqetësimeve të ngritura nga diaspora në lidhje me procesin e regjistrimit për të votuar në zgjedhje. 

“Biseduam për vendimin e fundit të nxjerrë nga KQZ-ja për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim të Votuesve jashtë Kosovës, i cili sipas znj. Daka, është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë.

Nga Kryetarja Daka u informova se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse. Shfrytëzova rastin për të falënderuar Kryetaren Daka dhe KQZ-në për angazhimin e tyre intensiv për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kryetarja gjithashtu më siguroi se e drejta kushtetuese nuk do ti mohohet askujt nga diaspora jonë, dhe se procedura shtesë e verifikimit do të bëhet me qëllim evitimin e praktikave te dëmshme të dëshmuara në proceset zgjedhore të kaluara, që kanë sjellë ankesa mbi votat e ardhura me vonesë, duke vonuar certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Diaspora është pasuri dhe vlerë e shtuar e Kosovës dhe gjithmonë do ta ketë përkrahjen dhe vëmendjen tonë të pandërprerë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla./Mediafokus.info/