Haradinaj: Kryetarin e Kuvendit e votojmë, e turpshme nëse Limaj shkon me Kurtin

Ramush Haradinaj thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ‘në princip e voton kryetarin e Kuvendit’.

“Në princip voojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Do të bëjmë konsulta të ndërsjella me partitë tjera opozitare, me PDK dhe LDK.

Konsiderojmë se konstituimi i Kuvendit është në interes të të gjithëve.

Aleanca angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita”, thotë ai sot, pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj u shpreh sërish i ashpër me partnerin e koalicionit, Fatmir Limajn – rreth pozicionimit të tij që nënkupton edhe mundësinë e votimit të një qeverie të re të Albin Kurtit.

“Nuk kemi komunikim me Limajn, nga intervista e fundit e famshme.

Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu. Pozicionimi i tij i hersëm e ka bërë shumë më të vështirë, ka qenë i parakohshëm.

Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne, por është ndarje e turpshme sepse kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm.

Në praktikë nuk kemi pengu kurrë konstituimin e Kuvendit, dhe këtë nuk e bëjmë ndaraz nga opozita.

Nuk besoj që partitë opozitare do të pozicionohen kundër konstituimit të Kuvendit.

Por ndryshe, është ndarje e turpshme, nuk është në rregull kur kemi kërkuar votë për ndryshim gjithandej vendit.

Për Vetëvendosjen e kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë, për opozitën nuk kemi asnjë kusht.

Nëse ndahet Limaj, është më vështirë, por do të vazhdojmë për shkak se edhe me votat e shumicës ende nuk ka një shumicë Vetëvendosje”, tha Haradinaj.