Haradinaj: Kurti është i rekrutuar nga Serbia, i programuar për të vepruar kundër Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar akuza të rënda ndaj deputetit Albin Kurti, duke e quajtur atë “të rekrutuar nga Serbia” dhe duke e akuzuar se ka vepruar në dëm të interesave të Kosovës.

Në një intervistë në emisionin Rubikon, Haradinaj tha se Kurti ka shërbyer për qëllimet e Beogradit, duke përmendur edhe një dokument që, sipas tij, dëshmon këto lidhje.

Ai iu referua një letre të datës 8 gusht, ku përfaqësuesit evropianë refuzuan ta takonin kryeministrin e Kosovës në zyrën e tij.

“Kjo është letra e datës 8 gusht që e kanë dërgu, e që kryeministrit të Kosovës i thonë Evropa, në kohën kur Maqedonia deri edhe Serbia hap kapituj, Shqipëria po shkon përpara, i thonë, ‘zotëri, s`mundemi me të taku ty në zyre”. – deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se, ndryshe nga pretendimet e qeverisë, rreziku për Kosovën nuk vjen nga Lista Serbe apo komuniteti serb në veri, por nga vetë mënyra se si Kurti ka menaxhuar procesin politik.

Haradinaj pretendoi se rekrutimi i Kurtit nga shërbimet serbe ka ndodhur gjatë kohës sa ai ishte në burg.

“Nga ajo që di unë dhe nga ajo që kam marrë vesh unë, po është i rekrutuar prej tyre gjatë kohës sa ka shërbyer në burg atje. Edhe më herët kanë komunikuar me të në mënyra të ndryshme, por gjatë kohës në burg e kanë rekrutuar.

E di që të burgosurit tjerë mendojnë që ky ka qenë i burgosur par ekselencë, i ka vuajtur pasojat që e kanë maltretuar dhe torturuar; e di, por rekrutimet nuk janë situata klasike që vetëm të privilegjojnë në burg. Ky është ‘brainwashed’ — ky [Albin Kurti] është i ndërtuar i tillë. Është i programuar i tillë që kështu do të sillet.” – tha Haradinaj. /NACIONALE