Haradinaj përplaset ashpër me Kurtin për veriun: Unë frikën e kam te ti kryeministër
Ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryeministri Albin Kurti janë përplasur ashpër në Kuvendin e Kosovës për çështjen e veriut të vendit.
Haradinaj tha se dyshon që Kurti i ndërmori dy veprime për aksione policore në veri, me qëllim që këtë pjesë të Kosovës “ta dorëzojë”. Ndërsa Kurti tha se në veri nuk ka pasur kurrë më parë më shumë rend e ligj sesa tash, raporton Express.
“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot sesa kurdoherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. A ka shumë punë dhe sfida? Po. Sepse ato janë të trashëguara. Por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim”, deklaroi Kurti.
Ai e përmendi takimin e Haradinajt me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në vitin 2018.
“Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radiçiq. Atëherë ka qenë veriu i rrezikuar. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminelë. Nuk e rrezikon veriun Policia. Veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Dhe kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018”, tha Kurti.
“Fjala e Z.Haradinaj është sulm në moralin e policit të Kosovës. Që ai kur të shkojë në veri të ketë dilema. Kot e keni Z.Haradinaj”, shtoi kryeministrti.
Në kundërpërgjigje, Haradinaj tha se i beson Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, por theksoi se dyshon në veprimet e Kurtit, të cilat tha se beson që janë ndërmarrë qëllimshëm dhe vetëm për një arsye.
“Është interesant. Ne jemi këtu deputetë dhe politikanë dhe mundohemi me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kam qëllimin te morali i trupave se i besoj Policisë së Kosovës, i besoj ushtarit të Kosovës. Unë frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me e dorëzu veriun. Unë besoj që është skenar i yti me i marrë dy veprime, me e lënë pastaj zbrazët që me u forcu kriminelët dhe i ke bërë qëllimshëm. Kaq”, tha Haradinaj.

