Harrojeni këtë numër
AVDUSH CANAJ
Më 12 Qershor u linda
në mes trëndafilave të kuq.
12 këngë i këndova në 12 melodi
për Atdheun pa dritë.
Ata një ditë erdhën,
trishtuan ëndrrën për lirinë
e më përplasën në qelinë
numër 12.
12 herë më hodhën para gjyqit
të hienave,
m`i nxinë 12 pranvera.
S`m`u ndanë 12 ujqër
që ma rropën lëkurën
me 12 thika të ndryshkura.
M`i hoqën prangat
pas një shekulli me 12 darë
në ditën e 12 Korriku.
12 orë bëra nga ferri deri në shtëpi
ku më priste nëna,
tri dallëndyshet e mia të vogla
me 12 diej në duar
që s`e njihnin babanë.
Për to çëndisa 12 tufa vargjesh.
Harrojeni këtë numër!
Harrojeni numrin 12.
(1987)

