Hasani: Votimi i fshehtë – anti-kushtetues, VV-ja e ka fajin për ngërçin politik

 

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se VV-ja i ka fajet kryesore për ngërçin politik.

Ai ka vlerësuar se VV-ja si parti fituese e ka përgjegjësinë kryesore për formimin e institucioneve.

“Partia fituese relative e zgjedhjeve, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë stagnim. Ajo duhet të prijë në kërkim të aleancave politike për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë. Më lejoni të them që asnjëherë, në asnjë vend evropian, nuk ka ndodhur ngërç ose problem rreth konstituimit të organit legjislativ dhe përfaqësues. Problemet dhe ngërçet kanë lindur lidhur me formimin e ekzekutivit. Kjo sepse procesi i konstituimit është solemn dhe shpreh dinjitetin e deputetit dhe të organit legjislativ dhe përfaqësues. Kur partia me më shumë deputetë i prin procesit politik dhe kërkon koalicion, atëherë, nëse nuk mund ta formojë vetë ekzekutivin, duhet të ndërtojë aleanca”, ka thënë Hasani për televizionin shqiptar TVKlan.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se votimi i fshehtë për kryetar të Kuvendit, të cilin po tenton VV-ja ta imponoi, është në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të lejojë një gjë të tillë.

“Jo. Asnjëherë. Do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, kjo e fundit si akti i vetëm nënligjor që normohet me Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Hasani.