Haxhiu jep detajet më të reja rreth formimit të Qeverisë Kurti II

Qeveria Kurti II pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji. Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë joserbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për KosovaPress, beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë e gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të LVV-së, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti.

Haxhiu tha se situata me pandeminë por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë.

“Unë nuk besoj që do i konsumoj të gjitha këto 30 ditë (afate ligjore), besoj që presidentja apo ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani do e thërras seancën më shpejt duke pasur parasysh rëndësinë për t’u krijuar institucionet legjitime që kanë dal nga votat e qytetarëve, e pastaj që padyshim besoj që aty afër do formohet edhe qeveria e re që është shumë e rëndësishme edhe për shkak të pandemisë që po përballemi por jo vetëm. Unë besoj që nëse gjithçka shkon kështu siç aktualisht po shkon, fundi i marsit padyshim që do na zë me qeveri të re, dhe pastaj me duhet të bëhemi gati që ta zgjedhim edhe presidentin e ri për faktin se aktualisht jemi me ushtruese detyrës dhe ditët po shkojnë. Pra, ne jemi si me thënë edhe peng i kësaj sepse ne duhet të veprojmë më shpejt në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Haxhiu.