Haxhiu: S’ka vaksinim masiv, është propagandë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka quajtur propagandë të Qeverisë vaksinimin masiv, pasi sipas tij një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.

Tutje Haxhiu theksoi se ka mungesë të furnizimit me insulinë, gjë të cilën ai thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur gatishmëri ta përshpejtojë si proces, dhe kjo ka detyruar qytetarët që të shkojnë në Shqipëri dhe Maqedoni për furnizim.

“Ka keq menaxhim, ka mos informim, një proces i vaksinimit shumë i ngadalshëm i cili po dështon. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë të angazhuara 251 ekipe. Në vizitën që kemi pasur në sallën ‘1 Tetori’ kemi parë më shumë personel shëndetësor të angazhuar sesa që ka vaksina. Nuk po ndodh vaksinimi masiv vetëm është diçka e proklamuar, e propaganduar nga Qeveria por në fakt në teren nuk është duke ndodhur një gjë e tillë. Muajin e fundit kam ngritur shqetësime për mungesën e furnizimit me insulina për faktin që Ministria e Shëndetësisë ka bërë përpjekje që të nënshkruajë një kontratë me një operator i cili ka qenë për 400 mijë euro më i shtrenjtë dhe kjo ka rezultuar me një përfundim të kësaj çështje ne organet shqyrtues të prokurimit publik i cili është jashtë funksionit tani e një kohë të gjatë por që Ministria nuk ka pasur gatishmëri që të përshpejtojë këtë proces dhe qytetarët detyrohen të blejnë insulina jashtë vendin në Shqipëri e Maqedoni”.
Haxhiu kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të sjell në Kuvend Ligjin për shëndetësi, atë të fondeve të sigurimeve shëndetësore dhe për transplantimin e organeve.