Haziri: Arbëri është njeri i përgatitur, i qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim

Lutfi Haziri ka thënë fjalët më të mira për kandidatin e LDK për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajlin.

“Pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjilan, kemi marrë vendimin që, z.Arbër Ismajli, të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve, veçanërisht si nënkryetar i Komunës, por edhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada.

Ai është pjesë e gjeneratës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjeneratë e artë e familjes sonë politike.

E njoh Arbërin prej dekadash, është njeri i përgatitur, i qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim.

Është miku im dhe bashkëpunëtori i ditëve të mira e të rënda.

Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm.

Nominimi i tij është vendim i përbashkët imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin.

E uroj përzemërsisht Arbërin dhe i dëshiroj sukses në këtë rrugëtim.

Gjilani ka nevojë për energjinë, përvojën dhe vizionin që ai e përfaqëson”.

Bashkë për Gjilanin!