Haziri: Demir Krasniqit më së miri i shkon thënia “Kush këndon, keq nuk mendon”
Nën organizimin e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, në Gjilan është mbajtur sot mbledhje komemorative, për t`i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit dhe muzicientit të njohur Demir Krasniqi, i cili u nda nga jeta dje.
Me këtë rast, Haziri tha se Demir Krasniqi, pos që ishte një mësimdhënës, një familjar, këngëtar, kompozitor dhe faktues i folklorit shqiptar, ishte edhe një edukator i vazhdueshëm dhe këshilltar i jashtezakonshëm që na ka bërë nder të gjithëve, prandaj si të tillë Komuna e Gjilanit do ta ruaj gjithmonë në historinë e qytetit.
“Axha Demë ishte një mësimdhënës, këngëtar shumë i madh i folklorit dhe melosit. Sot jemi së bashku për ti dhënë lamtumirën e fundit trupit të Demir Krasniqit, sepse shpirti i tij do të vazhdoj të bëjë dritë mbi ne. Jam i bindur se gjithë angazhimi që ai ka dhënë dhe kontributi i tij edhe si fqinj imi, por në veçanti me këngë që nga dhomat, odat, festivalet e pallatet dhe librat që ka lënë prapa, janë trashëgimi shumë e madhe që na shërben të gjithë ne të gjallëve”.
Demiri ishte gjithmonë njeri pozitiv dhe në të gjitha rastet edhe kur këshillonte, qortonte apo debatonte, ishte gjithmonë në rolin e edukatorit.
“Në Ballkan thuhet “Kush këndon, keq nuk mendon”, e kjo më së miri i ka shkuar për shtati Demir Krasniqit dhe tipareve të tij”, ka thënë mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.
Bashkëpunëtori i tij, Selim Arifi nga Kumanova, ka thënë se Demir Krasniqi ishte shembull i mbështetjes për të gjithë artistët pa dallim dhe veprat e tij kalojnë kufijtë shqiptarë, deri në Evropë e Amerikë, ndërsa vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që e kanë njohur.
Në emër të familjes, djali Shkëlqimi ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për organizimin dhe afërsinë e treguar për familjen në dhembjen e madhe.
Ndërsa, miku i pandashëm i Demirit, Xhemajl Berisha tha se shtëpia e të ndjerit ishte qendër e të gjithë artistëve edhe në kohët më të vështira.
“Me Demirin kemi kënduar më shumë se 52 vjet, që nga odat e Gollakut, Karadakut e gjithandej trevave shqiptare, deri te pjesëmarrja në festival të ndryshme. Sot, një thesar i këngës shqipe u nda nga ne dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë”, tha ai.
Varrimi i Demir Krasniqit bëhet sot, në orën 16:30, në varrezat e qytetit të Gjilanit.

