Haziri: E papranueshme dhe skandaloze përndjekja e regjimit të Kurtit ndaj avokatit Berisha

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me arrestimin e avokatit, Besnik Berisha.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se është e papranueshme dhe skandaloze përndjekja që po ia bën regjimi i Kurtit avokatit Berisha.

“Është e papranueshme dhe skandaloze përndjekja që po ia bën regjimi i Kurtit avokatit, ndër më të mirët në Kosovë, Besnik Berisha. Pasiguria juridike është e tmerrshme në një vend ku edhe vetë avokati përballet me ndalim për qëllime të paraburgosjes. Për çka, do pyesni, për asgjë, do të themi!”, shkroi ai.

Kujtojmë se avokati Berisha, të enjten është ndaluar për 48 orë, pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Sipas mbrojtësit të tij, Naim Rudari, arrestimi i Berishës është i kundërligjshëm dhe arbitrar, e madje edhe hakmarrje për zërin e tij kritik të vazhdueshëm ndaj sistemit të drejtësisë.