Haziri, Gërvallës: Pse ke dërguar letër për Asociacionin tinëz Presidentes?

Pasi doli që Qeveria e Kosovës i ka dërguar letër një instance të Këshillit të Evropës pa miratim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar edhe Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke e pyetur “pse tinëz Presidentes?”.

Postimi i Hazirit:

Përse letërzotimi dhe përse tinëz Presidencës?!

Kush mund të besojë që paska edhe këso qëndrimesh me adresu letër në ditën e anëtarësimit në KiE, në kohën kur Presidentja, Kryeministri dhe Kryetari Kuvendit e kanë nënshkruar letërzotimin pikërisht për KiE dhe pikërisht për anëtarësim?!

Përse ky letërzotim tash dhe përse tinëz Presidentes?

Kur këta eksponentë nuk janë të besueshëm, kush tjetër duhet të jetë?!

E keni zvarritur për tokë këtë Republikë, por mos na bëni të besojmë se Republika është e përkohshme deri në fund të majit. Për ju ndoshta, por për shqiptarët kjo Republikë themelet i ka hedhë me 2 korrik 1990 dhe me 17 shkurt ka finalizuar sovrantetin. Nuk lëvizin kurrë më poshtë, por vetën më lartë me miqtë e familjen europiane, në NATO, fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie speciale dhe permanente me ShBA.