Haziri: Gjendja me Covid-19 është alarmante dhe kërkohet vaksinim masiv i qytetarëve

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë sot se gjendja me Covid-19 në Gjilan, është alarmante, pasi numri i rasteve aktive ka arritur në 1063. Këto komente, ai i bëri pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë, ku gjendja u vlerësua e tendosur.

“Ky është numri më i madh i të infektuarve në komunën e Gjilanit, ku deri më tani, 150 qytetarë kanë humbur jetën. Kjo gjendje shumë e rëndë kërkon bashkëpunim të përgjithshëm. Në regjistrin e vaksinimit konfirmohet se deri mbrëmë janë dhënë 34.475 vaksina. Është e vetmja mënyrë për rritje të imunitetit kolektiv, prandaj apeloj që të vaksionoheni sa më shumë, sepse kështu mund të tejkalojmë më lehtë infeksionin. Vetëm me vaksinim mund ta ruajmë jetën tonë, familjen, po edhe vendin e punës”, ka thënë Haziri.

Ai më tej ka apeluar edhe te qeveria e Kosovës që orari i vaksinimit të zgjatet 24/7, me dinamikë të re dhe më intenzive, me mobilizim më të madh shtetror, për t’u dhënë mundësi Komunave për menaxhim në baza ditore, në mënyrë që ta përmbyllim vaksinimin.

“Gjilani ka mundësi për të organizuar edhe lokacionet, edhe kapacitetet, mirëpo duhet që qeveria këtë shërbim ta bartë në kompetencë të Komunave. Ne jemi të gatshëm që pos palestrës së sporteve, ku është duke u kryer vaksinimi tani, të aktivizojmë edhe tri qendra tjera për vaksinim”, tha Haziri.

Përndryshe, Haziri ka apeluar te qytetarët që t`i zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, sikurse edhe vendimin e qeverisë që parasheh anulimin e ahengjeve, dasmave dhe organizimeve të tjera.

Ai ka thënë se festivalli “Mish Mish”, i paraparë për nesër, në bazë të kalendarit për mërgatën, shtyhet për një datë tjetër, për shkak të kushteve dhe masave të reja që janë publikuar nga niveli qendror.

Përndryshe, në bazë të statistikave të përgjithshme, në Gjilan, aktualisht janë 1063 raste aktive, kurse të spitalizuar janë 72 pacientë me Covid.